Secondary Adv

Turizmi frenoi ritmin në qershor, hyrjet e të huajve u rritën vetëm 1.3 për qind

Rritja e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri u ngadalësua ndjeshëm gjatë muajit qershor 2026.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve të huaj u rrit me vetëm 1.3 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, shumë më pak se ritmi prej 15.9 për qind i regjistruar në maj.


Megjithatë, bilanci i gjysmës së parë të vitit mbetet pozitiv, me mbi 5 milionë shtetas të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë periudhës janar–qershor, ose 6.25 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.


Vetëm 17 mijë turistë më shumë në qershor

Në muajin qershor në Shqipëri hynë 1,346,279 shtetas të huaj, krahasuar me 1,329,204 një vit më parë. Rritja vjetore ishte 17,075 persona, ose 1.3 për qind.


Në total, gjatë muajit qershor në territorin shqiptar hynë 2,081,649 shtetas shqiptarë dhe të huaj, me një rritje prej 0.9 për qind në krahasim me qershorin 2025. Nga këta, 735,370 ishin shtetas shqiptarë, me një rritje prej 0.2 për qind, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 1,346,279.


Pavarësisht ngadalësimit të ritmit gjatë muajit qershor, në gjashtëmujorin e parë të vitit Shqipëria priti 5,059,069 shtetas të huaj, nga 4,761,651 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma vjetorë, hyrjet u rritën me rreth 297 mijë persona, ose 6.25 për qind.


Rënie nga disa tregje të rëndësishme rajonale

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kishte paralajmëruar më herët ngadalësimin e ritmit të rritjes së vizitorëve, duke theksuar se disa nga tregjet kryesore kanë regjistruar rënie gjatë muajit qershor.


Sipas të dhënave të publikuara prej tij, hyrjet nga Kosova ranë me 51,190 vizitorë krahasuar me qershorin e vitit 2025. Rënie u regjistrua edhe nga Maqedonia e Veriut me 15,223 vizitorë më pak, Gjermania me 13,165, Turqia me 11,062 dhe Mali i Zi me 6,212 vizitorë më pak.


Në total, këto pesë tregje sollën 96,852 vizitorë më pak, ose rreth 13 për qind më pak se një vit më parë. Megjithatë, rritja e vizitorëve nga tregje të tjera arriti të kompensojë pjesërisht këtë tkurrje, duke mbajtur bilancin e përgjithshëm në territor pozitiv.


Qeveria lidh ngadalësimin me protestat

Qeveria e ka lidhur ngadalësimin e hyrjeve me ndikimin që, sipas saj, kanë pasur protestat e nisura më 30 maj në perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik.


Ministri Gonxhja deklaroi se perceptimi për sigurinë, normalitetin dhe stabilitetin është vendimtar për industrinë e turizmit dhe se protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i transmetuar jashtë vendit mund të kenë ndikuar në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai iu referua gjithashtu sinjalizimeve nga operatorë turistikë, hotelierë dhe agjenci udhëtimi për ngadalësim të rezervimeve, anulime dhe hezitim nga disa tregje të huaja.


Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna që të tregojnë se protestat kanë ndikuar në mënyrë të gjerë në tregjet ndërkombëtare. Përveç shqetësimeve të ngritura nga tregu gjerman për segmentin e turizmit të organizuar, në rrjetet sociale dhe forumet ndërkombëtare të turizmit protestat nuk janë trajtuar si një faktor i rëndësishëm rreziku për vizitorët.


Shifrat e INSTAT

Sipas INSTAT, gjatë muajit qershor 2026 nga Shqipëria dolën 2,008,987 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 4.7 për qind më shumë se një vit më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë u rritën me 1.8 për qind, ndërsa ato të shtetasve të huaj me 6.5 për qind.


Evropa Jugore vijon të përbëjë burimin kryesor të vizitorëve, duke zënë 66 për qind të hyrjeve nga kontinenti europian, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore kontribuon me 14 për qind.


Në 98 për qind të rasteve, shtetasit e huaj kanë hyrë në Shqipëri për arsye personale. Kjo kategori shënoi rritje prej 1.6 për qind në krahasim me qershorin e vitit 2025, ndërsa hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale ranë me 17.7 për qind.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat